Bankieri që gjeti pasionin te vreshtaria
Kantina “Shehi” është zero kilometra larg Tiranës, në zonën e Farkës. Puna filloi në vitin ‘99, kur iu kthyen tokat e familjes Shehi, si familje autoktone.
Në atë kohë kur shkuan për të punuar tokat e trashëguara, të gjithë i paragjykonin. Në një kohë kur të gjithë po i largoheshin bujqësisë dhe fshatit, ata vendosën që të ndërtonin fermën. Zona e Farkës ka qenë para viteve ’90 fermë. Familja Shehi e nisi me vreshtarinë.
Pranë vreshtit ndërtuan dhe një godinë të vogël për ta ruajtur. Aty ku ata mbollën vreshtat, nga rrushi i të cilave sot prodhohet vera e kantinës, ishin shkulur vreshtat e mëparshme nga të ardhurit në atë zonë. Prodhimi i parë ka qenë në mënyrë shumë artizanale, tregon Enveri, një prej vëllezërve të familjes.
Kantina dhe ferma janë bashkim i pesë vëllezërve Shehi, njëri prej të cilëve fatkeqësisht humbi jetën duke punuar në vreshtat e familjes, për shkak të një aksidenti fatal. Në vitin ‘99, ata u bënë bashkë dhe vendosën që me tokën e trashëguar nga familja të mbillnin kultura të ndryshme, veçanërisht vreshtat dhe ullinj. Fillimisht ata mbollën tre hektarë vreshta dhe më pas mbollën dy hektarë ullinj dhe një hektar arra.
Në dy-tre vitet e para, prodhimi u bë në kushte shumë artizanale, me fuçi. Prodhimi i parë u bë në 2005-n.
Një nga drejtuesit e kantinës, Enveri, i cili është edhe bankier në një nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, na tregon se prodhimi i verës është pasion për familjen e tyre. Enveri është trajnuar për agrobiznes në Amerikë. Secili anëtar i familjes Shehi është profesionist në punën që kanë zgjedhur për të bërë në përditshmëri, ndërsa verën e kanë pasion.
Çdo fundjavë, e gjithë familja mblidhet në fermë, e cila mesa duket ka shërbyer për t’i bashkuar edhe më shumë me njëri-tjetrin. Gjatë sezonit të vjeshtës, ku puna për prodhimin e verës është shumë intensive, i madh dhe i vogël jep kontributin për prodhimin e verës “Shehi”.
Familja Shehi asnjëherë nuk ka shpërndarë dividend. Çdo vit, fitimet që vijnë nga ferma që kanë ngritur shkojnë për t’u investuar në fermë. Në planet e tyre është edhe ndërtimi i restorantit, në mënyrë që të mbyllet i gjithë cikli.
Marrë nga: Monitor.al